Lidhja Demokratike e Kosovës po i kërkon Qeverisë Kurti që Kosova të ketë trajtim të barabartë dhe të dinjitetshëm në samitin që do të nisë sonte në Slloveni, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në partinë opozitare e kritikojnë ekzekutivin për vazhdimin e status-quo me Serbinë dhe thonë se dialogu po mbetet peng i bashkëpunimit rajonal. Derisa e quajnë një hap përpara dhe dy prapa marrëveshjen me shtetin fqinj verior për targat e automjeteve.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova në samitin e gjashtë të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet të trajtohet e barabartë, sikur vendet e tjera të rajonit.
“Unë besoj dhe shpresoj që qeveria të punojë për të siguruar përfaqësimin e barabartë dhe të dinjitetshëm. Edhe ashtu, këto samite janë, ku BE-ja punon me vendet e Ballkanit për të siguruar perspektiv të integrimit të këtyre vendeve në BE dhe për t’i ndihmuar në rrugën e tyre drejtë BE-së, por edhe rimëkëmbjes. Ky samit do të diskutojë edhe për planin për ndihmë të madhe në shtatë vitet e ardhshme, ku përmendet shifra prej 30 miliardë eurosh. Ky investim nuk bëhet kot dhe nuk do të bëhet, por ky do të jetë i suksesshëm kur Kosova do të jetë sikur të gjitha vendet e tjera, e barabartë për të punuar me partnerët dhe BE-në”, thotë Hamiti.
Duke komentuar mundësinë e arritjes së marrëveshjeve rajonale për ID-karta dhe njohjen e diplomave, Hamiti thotë se bashkëpunimi rajonal po mbetet peng i dialogut Kosovë-Serbi.
“(Bashkëpunimi rajonal) po mbetet peng (i dialogut) dhe jo krejt për fajin e të tjerëve. Nuk dua të them, pasi Kosova nuk e ka në dorë gjithë punën, e se ka pas asnjëherë. Po të ishte në dorën e Kosovës këto do të ishin zgjidh më herët. Normalisht kërkohet vullnet prej palëve, këtë rast edhe i Serbisë, por edhe zell dhe përkushtim më i madh ndërkombëtar”, shton ai.
Ish-diplomati thotë se Qeveria e Kosovës ka rënë në kurthin e regjimit të Serbisë, pasi ata janë të interesuar për vazhdimin e status qou-së dhe kthimin e dialogut teknik.
“Unë po shoh status-quo dhe ka rënë edhe Qeveria e Kosovës në këtë kurth të regjimit të Serbisë, pasi ata janë të interesuar për status-quo. Kjo qeveri ndoshta pavetëdijshëm po e kthen dialogun Kosovë-Serbi në çështje (teknike)”, thotë anëtari i Kryesisë së LDK-së.
Të tillë, Hamiti e sheh edhe marrëveshjen për targat e automjeteve, ku thotë për KosovaPress se ekzekutiv bëri një hap përpara dhe dy prapa, pasi e bëri Serbinë palë të në çështjet e brendshme të Kosovës dhe barazojë Njësitë Speciale të Kosovës me grupet paralele serbe në veri.
“Kjo Qeveri po e sheh si një lloj triumfi, është një lloj spini i kot, pasi bëhet fjalë për marrëveshjen e vitit 2016 që po realizohet tash për lëvizje të lirë. Vitin e kaluar, ministri i atëhershëm i brendshëm ka nënshkruar dokumentin me të cilin praktikisht ndalej puna e dhënies së targave KS. Tash kemi një hap përpara dhe dy hapa prapa, këtë e ka bërë kjo qeveri. Pasi marrëveshjen e vitit 2016 që po e realizon sot atëherë e quante nënshtrim dhe tradhti, sot po e quan triumf. Unë po e them se një hap përpara është ky lloj reciprociteti i përkohshëm, marrëveshje krejt e përkohshme që vlen për 6 muaj, pra nuk është as zgjidhje e as reciprocitet afatgjatë. Dy hapat prapa janë se Serbia është bërë palë e punëve të brendshme të Kosovës me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Kjo qeveri që bënte retorik të lartë patriotike në kohën kur ishte në opozitë, tash hyri në dialog bëri këtë marrëveshje të keqe, pasi lejon që Serbia të bëhet palë dhe madje Njësitë Speciale të Policisë e bëri si kundërpeshë për tërheqjen e barrikadave”, shton ai.
Hamiti për KosovaPress flet edhe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku shprehet optimist për rezultate pozitive për LDK-në.
“Nëse ka qenë apo jo aksidental (zgjedhjet e 14 shkurtit) do të dëshmojë rezultati i 17 tetorit që ne presim që të jetë shumë më i mirë që ne t’i ruajmë komunat ku kemi qeverisur mirë dhe t’i kthejmë komunat ku kemi humbur dhe ku të tjerët kanë qeverisur keq”, deklaron Hamiti.