Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se ka pasur qasje tendencioze të qeverisë për të vështirësuar punën e komunave.
“Ajo çfarë vërejmë tash ne është kujdesi i qeverisë në fushën e ekonomisë lokale. Vazhdon të jetë bindja se mungojnë projektet zhvillimore dhe ideja se si të qeveriset. Jemi në vitin e fundit të qeverisjes së kësaj qeverie dhe nuk kemi asnjë projekt të madh zhvillimor. Kryesisht është marrë me skema sociale ku ndikimi është i vogël”, tha ai.
Sipas Gashit, tash e gati gjashtë muaj nuk është miratuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe se ekonomia e Kosovës “vuan për para”.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se projektet madhore infrastrukturore kanë ngecur dhe se nuk ka investime kapitale.
“Masivisht buxheti ka shkuar në subvencione”, tha mes tjerash ai.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama theksoi se ka mungesë të projekteve për kryeqytetin dhe se nevojiten investime serioze për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Kohëve të fundit kemi pasur lajme të mira, ku kryeqyteti do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ne duhet të përgatitemi. Edhe sot ne hasim probleme të mëdha të trafikut. Kjo është unaza e kryeqytetit prej më shumë se 200 milionë euro. Kryeqyteti është i gjithë Kosovës”, u shpreh ai.