Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të qëndrojë në seancën e thirrur më 9 shtator.
Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Ka deklaruar se Grupi Parlamentar i LDK-së do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Po do të qëndrojmë në seancë, ky është qëndrim i Grupit dhe nuk ka dallim sa i përket kësaj”, tha ajo.
Deputetët e zgjedhur në qershor, pritet të mblidhen më 9 shtator për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike e cila ka mbi një vit që zgjat dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten e javës që shkoi se seanca e ndërprerë muajin e kaluar do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.
Dehari e arsyetoi vendimin me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kandidatin për president të Kosovës. /A.K/
