Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me vendimin për subvencionim të teksteve shkollore.
Gashi këtë vendim e ka quajtur antiligjor, teksa Qeverinë e ka quajtur të paaftë për ta menaxhuar situatën e teksteve shkollore. Në një konferencë për medie, Gashi ka thënë se ky “keqmenaxhim” u ka shkaktuar dëme ekonomike e emocionale prindërve.
“Ata u sollën në mënyrë jo institucionale, duke i pamundësuar Kuvendit që të shohë se ku janë problemet në lidhje me librat dhe cilat janë veprimet dhe mosveprimet që i ka bërë Qeveria. Qeveria është në shkelje të ligjit për tekste shkollore dhe në shkelje të ligjit parauniversitar. Kjo është një shkelje shumë e rëndë që Ministria po e bën dhe për këtë do të përballen sipas gjitha gjasave edhe me ndjekje penale ministrja e Arsimit. Mendoj që paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar këtë proces ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik dhe dëm emocional për prindërit dhe nxënësit i cili është dëm pariparueshëm”, ka thënë ai.