UBT News

LDK-ja mblidhet për t’iu përgjigjur Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të mblidhet sot me nënkryetarët e partisë për t’u përgjigjur ftesës së Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ftesa është bërë me qëllim të konsultimeve për formimin e institucioneve, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. LDK-ja është e vetmja parti e ftuar zyrtarisht nga LVV për të biseduar mbi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Në letrën e dërguar Abdixhikut, Kurti ka ofruar disa mundësi takimesh, duke propozuar datat 9 prill (ora 15:00) dhe 10 prill (ora 9:00 ose 14:00). LDK-ja ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për këtë ftesë, megjithatë, disa zyrtarë të partisë kanë shprehur kritika ndaj Kurtit dhe ftesës së tij. Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e ka akuzuar Kurtin se ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare gjatë mandatit të tij të katër vjetëve.

Kritikat nga LDK-ja ndaj Kurtit janë të vazhdueshme, pasi një pjesë e anëtarëve të partisë e shohin Kurtin si një lider që ka qeverisur me arrogancë dhe ka shmangur një bashkëpunim të sinqertë me opozitën. Ndërkohë, Kurti ka vazhduar të kërkojë mbështetje për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke u përpjekur të sigurojë 61 deputetë, aq sa nevojiten për të formuar shumicën e nevojshme në Kuvend.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV ka siguruar 48 ulëse, ndërsa LDK-ja ka marrë 20 ulëse. Pavarësisht se LVV-ja është forca e parë politike, do t’i duhet mbështetje nga partnerët e tjerë për të arritur shumicën e nevojshme për formimin e institucioneve./UBTNews/

 

Exit mobile version