Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur tri herë me nga 2 000 mijë euro nga drejtoria e Inspekcionit të komunës së Prishtinës për mosrespektimit të masave anti-Covid gjatë tubimeve paraelektorale. Por gjobave të Komunës së Prishtinës nuk i kanë shpëtuar as PDK-ja, AAK-ja, VV-ja dhe Nisma.
Adonis Tahiri, drejtori i Inspekcionit në komunën e Prishtinës, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se këto parti janë dënuar për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe mosmbajtjes së maskës e distancës.
“Po deri tash janë shqiptuar shtatë gjoba, për të njëjtat arsye pothuajse, tri janë për LDK-në dhe nga një PDK, AAK, VV, dhe Nismën, për shkak të shkeljes së ligjit anti-COVID dhe masave të ndërmarr nga Qeveria”.
“Disa prej këtyre subjekteve kanë pasur në tubime numër më të madh të njerëzve se sa që lejohet, disa të tjera nuk kanë pasur distancë dhe disa të tjera i kanë pasur të pranishmit pa maska”, ka thënë, Adonis Tahiri, drejtor i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës.
E shuma e gjobave për subjektet politike është 2 mijë euro, ka thënë Tahiri, duke shtuar se nuk do të falet askush, raporton EO.
“Shuma e gjobave është e bazuar në nenin 25 pikën 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 dhe është 2 mijë euro”, ka shtuar ai.
Mes tjerash ai ka theksuar se nuk mund të jenë çdo herë në vendin e ngjarjes, pasi në shumicën e rasteve mosrespektimin e masave e shohin në fotot e pasotuara në rrjete sociale nga vetë subjektet politike.
“Jo domosdo duhet të jemi në vendin e ngjarjes mundem edhe përmes fotografive të cilat po i publikojnë vetë pjesëmarrësit nëpër ato tubime të shqiptojmë gjobën dhe kësisoj ne po i përcjellim edhe nëpër medie dhe rrjete sociale për të parë nëse po respektohen masat apo jo, kudo që nuk po mund të arrijnë fizikisht”.
“Ka pasur raste të tilla që na kanë dërguar fotografi, jo drejtpërdrejtë nga tubimi, por që i kanë parë të postuara te ndonjë pjesëmarrës në atë tubim dhe na ka ndihmuar neve që të procedojmë tutje”, ka përfunduar Tahiri.