Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar për mos fillimin e vitit të ri shkollor.
Në konferencë për medie të enjten, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu tha se papërgjegjësia e Qeverisë Kurti ka bërë që sot të mbyllen shkollat.
“Sot ne kemi një situatë ku të gjitha shkollat janë të mbyllura. Janë të mbyllura për shkak të papërgjegjësisë të kësaj qeverie për të dialoguar për kërkesat e mësimdhënësve dhe gjetur zgjidhjet më të mira për të mos humbur viti i ri shkollor. Mësimdhënësit i kanë adresuar kërkesat e tyre dhe nuk kanë gjetur mbështetje dhe as dialogim të mirëfilltë nga kjo qeveri”, tha ajo.
Sipas saj, ekzekutivi ka cenuar dinjitetin e mësimdhënësve duke mos ekzekutuar pagat për muajin gusht. Ajo tha se ky vendim është jodemokratik dhe joligjor.
“Në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me krizë ekonomike, kur inflacioni është në rritje e sipër, kur kemi krizë energjetike dhe shumë kriza të tjera, mësimdhënësit duhet që dje të dënohen duke mos marrë pagat e tyre të merituara për muajin gusht. LDK-ja me shumë shqetësim është duke përcjellë këtë situatë dhe e njëjta i dedikohet papërgjegjësisë dhe paaftësisë së kësaj qeverie… Ky vendim për mosekzekutimin e pagave është tërësisht joligjor. S’ka ndodhur asnjëherë dhe s’ka asnjë bazë juridike që pagat të ndalen kolektivisht për punëtorët publik dhe veçanti për punëtorët e arsimit”, shtoi Lushaku-Sadriu.
E pyetur për qëndrimin e mëhershëm të ish ministrit Financave, Avdullah Hoti, për grevat në arsim dhe ndaljen e pagës për ditët e mospunës, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, tha se tani vendimi është për ndalje të tërësishme të pagës. Sipas saj, kjo nuk ka ndodhur në ish-qeverinë Mustafa, mirëpo tani janë kundër çdo mase të dënimit të mësimdhënësve.
“Pagat janë ndaluar tërësisht, jo pjesshëm, por tërësisht. Arsimtarët nuk kanë marrë krejt rrogën, nuk është zbatuar përqindje e caktuar. E dyta kemi një ndalesë të kolektive, kjo është e paprecedent nuk ka ndodhur asnjëherë. As më herët nga Qeveria dhe ministri Hoti i asaj kohe nuk ka ndodhur. Kështu që ne jemi duke u marrë me faktet dhe mendoj se vlen principi i njëjtë. Ne jemi kundër çdo mase që të dënohen mësimdhënësit”, theksoi ajo.
LDK ka kërkuar nga Kurti që sa më shpejt të dialogojë me sindikatat dhe të arrihet një zgjidhje, në mënyrë që të fillojë viti i ri shkollor.