Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tashmë kanë nisur një koalicion në Komunën e Prishtinës.
Në kuadër të këtij koalicioni, AAK-ja do të ketë përgjegjësinë e dy drejtorive, administratës dhe të sportit.
Nga ana e AAK-së, për drejtimin e Administratës është emëruar Valbona Ajeti, ndërsa Kushtrim Mushica do të udhëheqë Drejtorinë e Sportit.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur përmes një komunikate për mediat se ky ristrukturim synon rritjen e efikasitetit të realizimit të projekteve.
Bardh Krasniqi do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në planifikimin dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, bashkë me Vigan Kastrati.
Nga ana e tyre thuhet se kjo lëvizje është në frymën e bashkëqeverisjes së gjerë të iniciuar nga kryetari Përparim Rama, me qëllim të transformimit të kryeqytetit.
“Kjo është bërë në frymën e ftesave të vazhdueshme të Kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama për bashkëqeverisje më të gjerë në të mirë të transformimit të kryeqytetit. Për shkak të rëndësisë së planifikimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe Fshatit Olimpik, si dhe rritjes së vëllimit të punës në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor me procesin e digjitalizimit përmes E-Leja, Arbër Sadiki do të përqendrohet në pjesën e planifikimit ndërsa z. Florent Maliqi do të mbulojë fushën e urbanizmit në veçanti të aspekteve ligjore dhe zbatimit të E-Leja”, thuhet në komunikatë.
Marrëveshja e koalicionit erdhi pas largimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga koalicioni me LDK-në, në shkurt të këtij viti.
Largimi ndodhi disa minuta pas votimit në Kuvendin Komunal për anulimin e vendimit për këmbim të pronave.