Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar sot Qeverinë e Kosovës për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Sipas partisë opozitare, pushteti aktual e ka kthyer në normalitet shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, andaj simbolikisht i vendosën një karton të kuq, siç thanë, për dërgimin në shtëpi të ekzekutivit.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në konferencë për medie, tha rrëzimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese e dëshmoi edhe një herë paaftësinë dhe tendencën autoritare të qeverisë Kurti.
Ai përmendi disa prej ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese të ekzekutivit, derisa tha anëtarët e qeverisë janë bërë shkelës serikë të ligjit dhe Kushtetutës.
“Ky pushtet është pushtet i shkeljeve ligjore dhe ngeljeve kushtetuese. Po i përmendi vetëm disa nga ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës ku janë dërguar dhe shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe është dëshmuar se ky pushtet dinë vetëm të shkelë Kushtetutën. Shkelja e parë ndodhi gjatë kohës së pandemisë COVID 19, shkelja e dytë ndodhi po ashtu për vendosjen e karantinës dhe kundërvajtjeve ndaj atyre që nuk respektuan rregullat anti-covid. Shkelja e tretë e Kushtetutës u krye nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa shkelja e katërt, kur Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë e ka shkelur Kushtetutën, ku e shpalli antikushtetues ligjin për Këshillin Prokurorial… Anëtarët e kësaj qeverie tashmë janë shkelës serikë të ligjit dhe kushtetutës. Ky pushtet ka hyrë në një seri të keqe të shkeljes së ligjit dhe kushtetutës së Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj tha se gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë “karton të kuq” nga Gjykata Kushtetuese.
Ai përmendi edhe presionin që sipas tij, po përballen zyrtarët publikë dhe administrata e shtetit nga Qeveria Kurti.
“Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës ata mbrohen dhe çmohen nga i pari i tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se ‘kush e shkel ligjin është kriminel, ndërsa kush e shkel Kushtetutën është super kriminel’… Dje Gjykata Kushtetuese i dha një karton të kuq pushtetit absolut, dje fitoi drejtësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit, administrata e shtetit dhe secili zyrtar publik. Zyrtarët publikë në secilin institucion qendror të shtetit është në presion të madh nga partia në pushtet. Presion që të vendosin në kundërshtim me ligjin për procese populiste të partisë në pushtet…Kjo qeveri çdo ditë në secilën fushë po merr karton të kuq. Dje mori një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese dhe do të marrë edhe plot të tillë në ditën në vijim derisa kjo qeverisje është në detyrë. Kjo qeverisje antikushtetuese duhet të shkojë në shtëpi dhe ne në mënyrë simbolike ia japim një karton të kuq”, theksoi ai.
Zemaj pasi u pyet nga gazetarët edhe për hapin e radhës për shtensionimin e situatës në veri, ku sot u bë tërheqja edhe e 25 për qind të policisë në dhe rreth objekteve komunale atje.
Sipas tij, ky vendim është lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut.
“Kjo tërheqje shihet si një lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut dhe rënies së tij në grackën e Vuçiqit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak, fatkeqësisht”, theksoi ai.
Ndërkaq, Zemaj iu kundërpërgjigj edhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili dje potencoi se PDK dhe LDK po i ndihmojnë Kurtit duke mos u përfshirë në mocionin e mosbesimit ndaj tij.
“E shohim si tendencë për hapësirë opozitare. Ne e kemi rolin tonë opozitar dhe partiak, kemi agjendë politike dhe i shpalosim të gjeturat. Tentojmë të japim versione më të mira për këtë qeveri, ndërsa jemi parti që edukojmë të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare”, përfundoi ai.