Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryesia e këtij subjekti politik ka bërë homazhe te varri i presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Kryetari i LDK-së, Isa Muatafa tha se kjo parti u themelua si kundërpërgjigje e sistemit që ka ushtruar dhunë. Mustafa tha se mburret me punën që është bërë nga LDK tash e 31 vite.
I pyetur se kush do jetë kandidati për kryeministër, kreu i LDK-së tha se ende nuk është përmendur një emër për këtë.
“Ne nuk kemi përmendur askënd sepse nuk jemi ulur akoma. Ne po presim mbi bazën e asaj që tha kryeministri dje që të mblidhet kuvendit dhe ta aprovojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare që domosdo duhet të aprovohen, të shpallim zgjedhjet dhe pastaj në momentin kur shpallim zgjedhjet do të mbledhim organet tona dhe do të diskutojmë në mënyrë institucionale dhe jo në bazë të përmendjeve dhe dëshirave personale sepse kemi parti institucionale”, tha ai.
Kurse, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pikën ku e saktëson se kush mund të kandidojë për deputet, Mustafa tha se vendimet e Kushtetueses nuk i komenton, por thotë se ai që duhet të kandidojë në bazë të këtij vendimi mund të kandidojë, por ata që nuk munden duhet ta respektojnë këtë vendim.