Selmanaj në seancën e sotme plenare të Kuvendit, tregoi disa nga arsyet që sipas tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Shprehi shqetësimet për veprimet dhe qasjen kundër kushtetuese të presidentes së vendit me rastin e mos emërimit të kryeprokuror të vendit. Ajo dëshmoi se për 18 muaj ka abstenuar me ushtrimin e detyrimeve që i ka me Kushtetutën e Kosovës… Presidentja e vendit e ka lënë vendin për 18 muaj pa kryeprokuror, përkatësisht institucionin e pavarur që ka autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale për 1 vit e më shumë. Çështja e dytë vendimi i presidentes për mos emërimin e kandidatit të propozuar nga KPK-ja bie ndesh me nenin 84 paragrafi 17 i Kushtetutës së Kosovës. Sipas këtij neni kompetencat e presidentes për emërim dhe shkarkim kufizohen vetëm në aspektin ceremonial”, tha ai.
Mirëpo, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, arsyetoi vendimin e presidentes Osmani, derisa tha se ajo nuk mund të legjitimonte një proces të diskredituar.
“Me këtë veprim presidentja natyrisht se nuk mund të dekretonte dhe legjitimonte një proces të diskredituar dhe po ashtu të një personi të diskredituar. Presidentja po e mbron ligjshmërinë, kushtetutshmërinë. Prokuroria Speciale duhet të tregoj pse i kanë bërë presion prokurorit paraprak që t’i hiqet fletë arresti Radonjiqiqit”, tha ai.