UBT News

​LDK: Çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë Qeverisë Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konsideron se Qeveria Kurti nuk ka dije minimale, vizion, kapacitet e plan për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, duke iu referuar faturave të larta të energjisë elektrike. Ata thonë se LDK-ja është partia e vetme që ka vizion e program specifik për ta përmirësuar këtë situatë.

Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi tha se për shkak të paaftësisë së Qeverisë Kurti, qytetarët po detyrohen të paguajnë shifra marramendëse e të pa përballueshme të faturat e energjisë elektrike. Ai tha se kjo qeveri për tre vite nuk ka rritur për asnjë megavat kapacitetet e gjenerimit të energjisë elektrike.

“Blloku A5 i termocentralit KosovaA ishte mbajtur jashtë funksionimin për disa muaj të tërë që mundësoi shokëve të Albin Kurtit, Nagipit e Martinit të shisnin energjinë elektrike në Kosovë me shuma jashtëzakonisht të mëdha, duke u munduar ta kompensojnë prodhimin që ishte bllokuar nga prodhimi i termocentralit A5…Qytetarët e Kosovës sot vazhdojnë të paguajnë fatura me tarifa të pa përballueshme në një kohë kur secili produkt tjetër elementar është shtrenjtuar. Mos të harrojmë se çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, i cili si opozitar, pikërisht këtyre qytetarëve u thoshte se çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë, për derisa qytetarët e Kosovës qëndronin mbi thëngjill…Një mashtrues tipik, një mashtrues klasik do t’i thoshte kryeministrit të sotëm, Albin Kurti opozitari i dikurshëm nëse do të takoheshin…Kjo qeverisje për tre vite nuk ka rritur asnjë megavat kapacitete e gjenerimit të energjisë elektrike në vend”, tha Azemi.

Tutje ai tha se kjo qeveri nuk ka përvojë për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, derisa kritikoi ministren e ekonomisë, Artane Rizvanollin, lidhur me vendimet e marra për projektet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike. Azemi theksoi se qeveria nuk po bën asgjë në përmbushjen e synimit që Kosova deri në vitin 2031 të përmbushë 30 për qind të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.

“Në një moment kur Kosova e pati mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli, me projektin amerikan të gazit, ministrja e ekonomisë Artane Rzivanolli bashkë me kryeministrin Kurti refuzuan këtë projekt duke u arsyetuar se çmimi dhe kostoja e lartë mund të bënin investime të tjera me një rrisk tjetër me kosto më të ulët e rrisk më të ulët…Kosova, që sipas kësaj qeverie synon që deri në vitin 2031 të përmbushë 30 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme vazhdon të mos bëjë asgjë, vazhdon të mos ketë vizon, dhe të jetë e pa aftë në dinamikat që i kemi parë deri sot”, theksoi Azemi.

Ndër të tjera, Azemi potencoi se për dallim nga qeveria Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vizon dhe program specifik për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike. Sipas tij, ndërtimi i centralit me gazin amerikan, rehabilitimi i mirëfilltë i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtëritshme, ulja e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja, për ta zgjidhur këtë çështje.

“Si Lidhje Demokratike e Kosovës e kemi të qartë se kjo qeveri s’ka kapacitet dhe aftësi për të bërë më mirë sepse janë një grupacion i pa përvojë, që nuk i ka dije minimale, as për energji as për diçka tjetër. LDK është vetmja parti në vend që ka vizion e program specifik për ta zgjidhur problemin e energjisë për t’iu shmangur krizave energjetike. Siç e kemi thënë në programin tonë rruga e re, ne e shohim të pa shmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan me kapacitet prej 500 megavateve…rehabilitimin mirëfilltë të termocentralit KosovaB, duke rritur kapacitetin gjenerues në 560 megavat, për të punuar në efiqencën e energjisë në shkallë vendi, në mënyrën që ta ulim konsumin energjetik, përqendrimin tek energjia e ripërtëritshme duke ndërtuar kapacitete prej 1 mijë megavatëve, 500 mgw me erë dhe 500 mgw nga burimet solare. Krahas këtyre, parashohim edhe uljen e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, uljen e taksave doganore dhe tatimeve në zero euro për veturat elektrike”, tha Azemi.

Azemi e ftoi publikisht në një debat ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të biseduar rreth kësaj gjendje.

Exit mobile version