Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i bënë presion Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
LDK përmes një komunikate dënon ashpër çdo formë të presionit e cila po konsiderohet si ndërhyrje e papranueshme dhe e rrezikshme në një proces që duhet të mbetet tërësisht i pavarur dhe i paanshëm.
LDK përmes një komunikate për media pret që normat demokratike dhe vullneti i qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë të respektohen plotësisht dhe pa asnjë kusht.
“Çdo përpjekje për të deformuar apo anuluar këtë vullnet përmes manipulimeve politike përbën një cenim të rëndë të parimeve themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Nëse vullneti i qytetarëve do të përmbyset përmes presioneve të orkestruara, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale, për të mbrojtur të drejtën legjitime të votuesve tanë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK thotë se nuk do të lejojnë që zgjedhjet të shndërrohen në një farsë të dirigjuar nga një pushtet që synon të deformojë rezultatin zgjedhor përmes trysnisë dhe manipulimit.
“Presionet e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura dhe për të manipuluar rezultatet zgjedhore duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. LDK do të vazhdojë të mbrojë pa kompromis integritetin e procesit zgjedhor, duke u angazhuar për një Kosovë ku zgjedhjet mbeten një shprehje e lirë dhe e pacenuar e vullnetit qytetar. Lidhja Demokratike e Kosovës është dhe do të mbetet gardiane e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës, duke garantuar se asnjë tendencë për të deformuar procesin zgjedhor nuk do të kalojë pa u sfiduar”, përfundon njoftimi.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar të hënën ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku ka kërkuar anulimin e votave me postë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përsëritje të votimit me postë, si dhe largim nga lista të kandidatëve të LDK-së, të cilët sipas tyre, kanë marrë votë pakrahasimisht më shumë me postë sesa në votimin në Kosovë.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se manipulimi i orkestruar i LDK-së ka ndodhur që në regjistrimin e votuesve me postë nga diaspora.