Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të hënën se Moska ishte e gatshme të negocionte me Ukrainën në muajt e parë të luftës, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore e shtynë Kievin kundër negociatave.
Vërejtjet e Lavrovit gjatë një vizite në Afrikën e Jugut ishin të ngjashme me ato që i tha edhe presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë vitit të kaluar, se vendi i tij ishte i gatshëm për bisedime, por aleatët perëndimorë të Ukrainës e penguan që të ndodhte.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë thënë se Rusia nuk është serioze në lidhje me negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Rusia ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Ukrainës dhe Perëndimit që ajo të tërhiqet plotësisht nga Ukraina, si kusht për çdo negociatë. Madje edhe presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu gatishmërinë të bisedojë me Putinin nëse ai do të shprehte seriozitet për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.
Lavrov është në Pretoria për bisedime me homologun e tij afrikano-jugor, Naledi Pandor, ndërsa Rusia po përpiqet të forcojë lidhjet me vendin më të zhvilluar të Afrikës dhe aleatin historik në mes të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë./UBTNews/