Lavrov thotë se është shumë herët të flitet për ndërmjetësim në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, por shton se Moska është e angazhuar për një zgjidhje diplomatike përmes diskutimeve me Kievin.
Duke folur së bashku me Guterres në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit të dyshes, ministri i jashtëm rus hodhi poshtë gjithashtu një propozim të Ukrainës për të zhvilluar bisedime ballë për ballë në Mariupol, duke e quajtur sugjerimin “teatral”.
Ndërsa Guterres, u shpreh se pushtimi nga pala ruse është shkelje e integritetit territorial të Ukrainës, teksa foli edhe për qëllimin e vizitës.
“Objektivi im dhe axhenda ime është e lidhur ngushtë me shpëtimin e jetëve dhe reduktimin e vuajtjeve”, u tha ai gazetarëve në Moskë.
“[Por] është e qartë se ka dy qëndrime të ndryshme për atë që po ndodh në Ukrainë. Sipas Federatës Ruse, ajo që po zhvillohet është një operacion ushtarak special, me objektivat që u njoftuan. Sipas OKB-së… Pushtimi i Rusisë në Ukrainë është një shkelje e integritetit të saj territorial”, shtoi Guterres./UBTNews/