Rusia ka hedhur poshtë “formulën e paqes” të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky si bazë për negociata dhe beson se Kievi nuk është ende gati për bisedime reale të paqes, tha ministri i Jashtëm Sergey Lavrov për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA.
Lavrov tha gjithashtu se shpresat e Kievit për të dëbuar Rusinë nga Ukraina lindore dhe Krimea me ndihmën e Perëndimit ishin “një iluzion”. Komentet e diplomatit veteran rus përfaqësojnë dëshminë më të fundit të hendekut në pozicionet midis Moskës dhe Kievit, dhe sa larg janë dy qeveritë nga ndonjë shans realist i bisedimeve që synojnë t’i japin fund luftës, tashmë në muajin e saj të njëmbëdhjetë.
Disa orë pas refuzimit të propozimit të Zelensky-t nga Lavrov, zyrtarët ukrainas thanë se vendi u vu nën sulm të rëndë raketor, me shpërthime në qytete të mëdha, përfshirë kryeqytetin Kiev dhe Kharkiv.
Zelenskyy ka nxitur fuqishëm një plan paqeje prej 10 pikash ku parashikon që Rusia të respektojë dhe të rivendosë integritetin territorial të Ukrainës dhe të tërheqë të gjitha trupat e saj.
Por Moska ka këmbëngulur se Kievi duhet së pari të pranojë aneksimin e Luhanskut dhe Donetskut në lindje, dhe Khersonit dhe Zaporizhisë në jug. Nuk mund të ketë një plan paqeje “që nuk merr parasysh realitetet e sotme në lidhje me territorin rus, me hyrjen e katër rajoneve në Rusi”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./UBTNews/