Rusia është e gatshme të diskutojë një shkëmbim të të burgosurve me Shtetet e Bashkuara përmes një kanali diplomatik të rënë dakord nga të dyja vendet, tha të premten ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, njoftoi RIA Novosti.
“Për çështjen e personave që janë dënuar në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara… ekziston një kanal i caktuar për të cilin është rënë dakord [Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i SHBA Joe Biden], dhe pavarësisht se çfarë thotë dikush publikisht, ky kanal do të mbetet në fuqi”, thuhet se tha Lavrov në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Kamboxhias, Phnom Penh të premten.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë këtë temë, por në kuadër të kanalit për të cilin janë dakorduar presidentët”, shtoi Lavrov.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi ylli amerikan i basketbollit për femra, Brittney Griner u dënua për kontrabandë të qëllimshme droge në Rusi dhe u dënua me nëntë vjet burg.
Ajo dëshmoi në gjykatë se ishte në dijeni të ligjeve strikte të drogës në Rusi dhe nuk kishte ndërmend të sillte kanabis në vend, duke thënë se ajo ishte në një nxitim dhe “e mbushur me stres”.
Para vendimit, Griner kërkoi falje në gjykatë dhe bëri një fjalim emocionues.
“Kurrë nuk kam dashur të lëndoj dikë, kurrë nuk kam dashur të rrezikoj popullatën ruse, kurrë nuk kam dashur të thyej ndonjë ligj këtu”, tha Griner.
“Kam bërë një gabim dhe shpresoj që në vendimin tuaj të mos përfundojë jeta ime këtu. E di që të gjithë vazhdojnë të flasin për pengun politik dhe politikën, por shpresoj se kjo është larg kësaj sallë gjyqi”./UBTNews/