Në përvjetorin e tretë të nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, liderët e lartë politikë në Mbretërinë e Bashkuar kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre ndaj Kievit.
Kryeministri, Sir Keir Starmer, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës për ta ndihmuar në përpjekjet e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e përfundoi mesazhin e tij me fjalët “Slava Ukraini” (Lavdi Ukrainës), duke treguar mbështetjen e tij të qartë ndaj popullit ukrainas.
“Tre vjet pas pushtimit barbar në shkallë të plotë të Putinit në Ukrainë, ne përballemi me një moment kërcënimi për sigurinë dhe vlerat tona kolektive. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Slava Ukraina”, shkroi Starmer.
Nga ana tjetër, Kemi Badenoch, udhëheqësja e opozitës, theksoi unitetin politik në Britani përballë kësaj lufte, duke shtuar se parlamenti britanik ka qëndruar i bashkuar në vendosmërinë për të mbështetur Ukrainën.
Ndërkohë, ish-kryeministri Boris Johnson përshëndeti “heroizmin e vazhdueshëm të popullit ukrainas”, duke theksuar qëndrimin e tij kundër “të pavërtetave të çuditshme” që qarkullojnë mbi origjinën e luftës – një referencë e dukshme ndaj deklaratave të fundit të Donald Trump.
Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën mbetet e palëkundur, ndërsa liderët britanikë bëjnë thirrje për forcimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Evropë.