UBT News

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe dënohet me gjashtë muaj burg shtesë në Iran, i refuzohet sërish kujdesi mjekësor urgjent

Narges Mohammadi, laureate e Çmimit Nobel për Paqe, ka marrë një dënim të ri me gjashtë muaj burg shtesë për “mosbindje dhe kundërshtim të urdhrave” nga Dega 2 e Gjykatës Penale të Qodsit.

Ky dënim u shpall më 19 tetor 2024, pas protestës së saj dhe katër të burgosurve të tjerë kundër ekzekutimit të një protestuesi, e cila përfundoi me reagimin e dhunshëm të policisë së trazirave në repartin e grave të burgut Evin më 6 gusht.

Dënimi i saj aktual filloi në nëntor 2021 pas një vendimi të mëparshëm nga maja 2021. Në total, duke përfshirë dënimet e tjera të ngritura në vitet e fundit, Mohammadi tani përballet me 13 vjet e nëntë muaj burg, si dhe 154 goditje me kamxhik për akuza të sajuara, përfshirë “propagandë kundër shtetit” dhe “veprim kundër sigurisë kombëtare”.

Gjendja shëndetësore e Mohammadi është përkeqësuar ndjeshëm gjatë qëndrimit të saj në burg. Familja e saj ka shprehur shqetësime për refuzimin sistematik nga zyrtarët e burgut për ta transferuar në spital për një angiografi, një procedurë që është rekomanduar nga kardiologu i saj që nga marsi i këtij viti.

Një raport mjekësor i fundit tregoi se arteria kryesore e zemrës së saj, e cila ishte stentuar në vitin 2021, ka zhvilluar përsëri një komplikacion serioz. Megjithëse specialistët e saj kërkuan me urgjencë një angiografi tjetër, procedura ende nuk është realizuar. Në një vizitë të datës 8 tetor, kreu i burgut Evin i informoi Mohammadi-n se Organizata Iraniane e Burgjeve nuk kishte autoritetin për të marrë vendime për situatën e saj mjekësore, duke lënë të hapur çështjen e përkujdesjes së saj shëndetësore.

Situata e Mohammadi-s ka sjellë shqetësim ndërkombëtar, duke u bërë një simbol i luftës për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes në Iran./UBTNews/

 

 

Exit mobile version