Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë takuar sot udhëheqësit e pushtetit lokal në Mitrovicë, për t’u njohur nga afër me gjendjen e përgjithshme të pandemisë COVID-19 në këtë komunë.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi duke folur për vizitën e sotme në Mitrovicë, tha se ky është një hap i madh i qeverisë në kohë të vështira të pandemisë, për të qenë sa më afër me qytetarët e të gjitha komunave pa dallim.
“Është një hap i madh nga qeveria për me qenë sa më afër me të gjitha komunat, pa dallime partiake, sepse në këtë kohë kur COVID-i është akoma aktual, ne duhet të jemi bashkë dhe ta kalojmë sa më lehtë”, ka thënë Rexhepi.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, edhe njëherë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, në mënyrë që të përmbyllet sa më parë cikli i imunizimit.
“Është thjesht një thirrje që ne e bëjmë vazhdimisht, ju kisha lutur që edhe ju ta bëni këtë tek populli, që secili prej nesh të vaksinohet. Numri i të vaksinuarve me një dozë është i mirë, por me dy nuk është shumë i mirë, me tre është edhe më pak i mirë, kështu që neve na duhet me mbaru ciklin”, theksoi Latifi.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, duke përmendur si problemin më të madh obligimet financiare të trashëguara, tha se top prioritet I Komunës për këtë vit do të jetë konsolidimi financiar.
“Problemin më të madh e kemi me obligimet financiare të trashëguara dhe normalisht përkundër shumë nevojave tjera neve na imponohet si top prioritet për këtë vit konsolidimi financiar i komunës”, sqaroi Hamza.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Fahri Shabani, ka përmendur shifra të sakta me ç’rast bëri të ditur se prej fillimit të pandemisë e deri tani në komunën e Mitrovicës janë infektuar mbi 11 mijë persona, ndërsa betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 163 qytetarë.
“Prej fillimit deri tash kemi pasur gjithsej 11 mijë e 340 raste me COVID-19, prej tyre të shëruar janë 10 mijë e 809 persona, të vdekur kanë përfunduar 163 persona. Aktualisht në komunën e Mitrovicës kemi 458 raste aktive”, u shpreh Shabani.