Në komunën e Mitrovicës është ndërmarrë një aksion për lirimin e trotuarve nga shitësit ambulantë që shesin mallra dhe produkte ushqimore në hapësirat publike përballë xhamisë “Isa Beg” në Mitrovicë.
Ky aksion u ndërmor nga Drejtoria e Inspekcionit në komunën e Mitrovicës së bashku me Policinë e Stacionit Jugor në Mitrovicë, si dhe me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti”.
“Për lirimin e atyre hapësirave ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për pengim të lëvizjes së lirë”, thuhet në njoftimin e komunës së Mitrovicës.
Lidhur me këtë aksion, drejtori i Inspekcionit, Fidan Ademi ka thënë se këto hapësira do të jenë përherë të lira, ku çdo ditë do të jenë të pranishëm për inspektim, inspektorët komunalë dhe Policia e Kosovës, deri sa të mos ketë ekspozim të mallrave nëpër trotuare dhe të mos ketë pengesa në lëvizjen e qytetarëve./UBTNews