Është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.
Kështu ka njoftuar policia e Kosovës përmes njoftimit për media duke theksuar se, zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.
Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.
Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.