UBT News

“Largimi nga Bakhmut dikur i paimagjinueshëm, tani një nevojë urgjente”

Të largohej nga Bakhmut dikur dukej e pamundur… Por tani, Vyacheslav Tarasov ka humbur një mik, një gjymtyrë dhe të gjitha mjetet që dikur i’a siguronin jetesën.

Rrugët jashtë shtëpisë së tij në vijën e frontit lindor të Ukrainës janë pushtuar nga shpërthimet e predhave. Ndërtesat përreth janë kryesisht bosh, pa dritare dhe shumë të ftohta.

Bakhmut është përballur me fuqinë e pamëshirshme të zjarrit të një ushtrie të frustruar ruse për muaj të tërë. Moska ka rrafshuar ndërtesat me raketa dhe ka dërguar valë të pafund këmbësorie për të luftuar mes shtëpive të shkatërruara.

Tarasov, 48 vjeç, ishte strehuar në bodrumin e tij, ku tani i duhet që të jetojë. Por javën e kaluar ai guxoi të dilte jashtë – të blinte perime për të bërë pjatën kombëtare, ‘borscht’.

“Unë nuk e di se çfarë është përdorur”, kujton ai. “Por forca ishte e pabesueshme sepse krahu im u këput, shumë thjeshtë … Unë po mbaja zorrët e mia në duar”.

Fytyra e tij zbehet ndërsa transmeton imazhet grafike ende të freskëta në mendjen e tij. “Unë kisha veshur një xhaketë lëkure dhe nëse nuk do të ishte për këtë, do të isha asgjësuar. Dua të them, zorrët e mia do të kishin qenë kudo… Kam humbur shumë gjak. Mbaj mend që e pashë – një pellg të madh”.

Shpërthimi që i shkaktoi këtë humbje të krahut atij, e vrau shokun e tij dhe ndërsa granatimet vazhduan, ai e kuptoi se mund edhe të mos ia dilte.

© CNN

“Unë do t’ju them të vërtetën, unë u luta për të mbijetuar” thotë ai.

Tarasov është një i krishterë i devotshëm dhe beson se një “fuqi e padukshme” i shpëtoi jetën. Ai është gjithashtu mirënjohës ndaj ushtarëve ukrainas që e hodhën në kamionçinë e tyre dhe e çuan në një spital në Kostiantynivka – një nga spitalet e pakta të mbetura në gjendje për të trajtuar të plagosurit civilë të luftës.

Kur mbërriti atje, ai iu lut mjekëve që t’ia shpëtonin gjymtyrën. “Gjëja e parë që pyeta ishte nëse mund të më qepnin krahun. Pashë që ishte shkëputur plotësisht dhe ishte varur në mëngë. Dhe barku më digjej. Kuptova se duhet të jenë zorrët që dalin jashtë. Kishte gjak kudo”.

Stafi mjekësor atje ka vazhduar punën e tyre në mes ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së ujit të shkaktuar nga sulmet e përsëritura ruse në rrjetin e energjisë. Për tetë orë një ditë javën e kaluar, ata duhej të mbështeteshin te gjeneratorët për të mbajtur dritat dhe ngrohjen ndezur./UBTNews/

Exit mobile version