Është lansuar sot strategjia e Institucionit të Avokatit të Popullit 2021 – 2025, qëllimi i së cilës është të kontribuojë në rritjen e ndikimit të punës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale si dhe në parandalimin e shkeljeve nga ana e institucioneve publike.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se strategjia 2021 – 2025 ka rezultuar pas një vlerësimi të detajuar, teksa shtoi se me ndikimin e shtuar të këtij institucioni arrihet vetëdijesimi i publikut për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
“Me strategjinë e institucionit të Avokatit të Popullit synojmë fuqizimin e Avokatit të Popullit dhe avancimin e të drejtave të njeriut në vend. Kjo strategji është një dokument që ka për synim që të nxjerrë Avokatin e Popullit institucionin më të besueshëm, është një produkt që ka dalë si rezultat i një bashkëpunimi disa vjeçar. Mbrojtja dhe mbikëqyrja e të drejtave të njeriut do të jenë prioritet i Avokatit të Popullit gjatë viteve 2021 – 2025”, tha ai.
Ndërsa këshilltarja e Avokatit të Popullit, Rozafa Semanaj bëri të ditur pesë qëllimet strategjike të kësaj strategjie, ku secila prej tyre përmban një numër të objektivave specifike, e që janë: mbrojta dhe mbikëqyrja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përmes ndikimit të Avokatit të Popullit në përmbushjen e mandatit të tij, promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe roli i IPA-së, promovimi i Objektivave Zhvillim të Qëndrueshëm si dhe zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve institucionale dhe i burimeve institucionale dhe burimeve njerëzore të IAP-së.
Kurse shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se kjo strategji do të jenë instrument i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të Kosovës.