UBT News

Lansohet granti i performancës së komunave, do të përfitojnë 22. 4 milionë euro nga projekti DEMOS

Është lansuar granti për performancën e komunave, i cili është organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ku ky program do të implementohet përgjatë periudhës 2022-2025.

Aty u tha se lansimi i këtij granti të performancës ka për qëllim përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes demokratike, menaxhimin dhe shërbimet komunale, duke kontribuar kështu në rritjen e kënaqëshmërisë së qytetarëve.

Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thanë se përmbushja e kritereve të performancës e bën më të mirë jetën e qytetarëve, ndërsa nga ekzekutivi komunal kërkuan që të jenë fituese të këtij granti.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës (MAPL), Elbert Krasniqi, tha se ky projekt është për një periudhë 4-vjeçare dhe tregon se faza e parë ka rezultuar e suksesshme.

Tutje, ai tha se është hartuar Projektligji për Grant dhe Performancë dhe se shumë shpejt do të jetë për votim në kuvend.

“Baza në sistemin e menaxhimit filloi me zbatimin e konceptit të matjes. Në vitin 2018 e tutje u zhvilluar koncepti i grantit të përformancës. Me ligjin e ri granti do të jetë i hapur edhe për donator. 150 projekte janë financuar në vitin 2021. Granti për performancë zë vend në prioritetet afatgjata dhe afatmesme. Është hartuar projektligji për grant dhe performancë dhe shumë shpejt do të jetë për votim në kuvend. Edhe këtë vit kemi krijuar mekanizma të re. Me kalimin e ligjit do t’i rishqyrtojmë edhe njëherë indikatorët”, tha ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Thomas Szunyog, tha se BE-ja është donatori më i madh në financimin e qeverisjeve lokale. Ai tha se objektiv kryesor kanë ofrimin e shërbimeve në komuna.

“Urime që jeni zgjedhur si kryetar komunash dhe iu uroj më të mirën gjatë mandatit. Është një udhëtim sfidues për ju. BE-ja është donatori më i madh në financimin e qeverisjeve. Objektivi kryesor është ofrimi i shërbimeve në komuna. Dhe në këtë punë duhet t’i keni burimet e nevojshme financiare. Si BE jemi të lumtur që jemi pjesë e grupit të donatorëve. Kemi Zvicrën që janë kryesues të këtij projekti. Granti nuk do të ishte i mundur pa komuna. Asambletë komunale kanë rol të rëndësishëm në mbikëqyrje e ekzekutivit komunal”, tha ai.

E kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se ky grant do t’i ndihmojë komunat që të realizojnë projektet dhe të ngritët qeverisja lokale.

“Komunat dhe kryetarët e mbështesin projektin Demos. Kjo mbështetje është mundësi e veçantë e komunave që të realizojnë projektet dhe të ngrisim përgjegjshmërinë e komunave dhe të ngritët qeverisja lokale. Asociacioni e ka përkrahur garantin e performancës. Asociacioni e ka mirëpritur edhe ligjin për komuna. Granti i performancës menaxhohet nga pushteti lokal. Një rrethanë tjetër është mos funksionalizimi i OSHP-së. Do të doja që në rrethana të tilla që janë jashtë përgjegjshmërisë së komunave t’i keni parasysh që t’i mundësohet komunave të jenë përfituese të këtij granti”, tha ai.

Exit mobile version