Ministria e Ekonomisë të mërkurën ka lansuar subvencionimin për pajisje efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme financuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Kryeministri Albin Kurti tha se janë investuar 35 milionë euro në këtë sektor dhe kjo falë mbështetjes së BE-së. Duke arsyetuar çmimet e energjisë, ai tha se për këtë ka ndikuar lufta në Ukrainë. Sipas tij, lansimi i kësaj thirrje tregon përkushtimin e miqve për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Këtë vit është duke u investuar një shifër rekord prej 35 milionë euro që është shuma më e lartë ndonjëherë. Ky investim është falë mbështetjes nga pako e BE në kuadër të mbështetjes së rimëkëmbjes. 13 komuna do të përfitojnë nga kjo mbështetje. Pas sukseseve të efiçencës së energjisë për rezidentet po e nisim masën e gjashtë subvencionimin për pajisje efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Tanimë është e njohur se lufta në Ukrainë ka prekur çmimet e energjisë elektrike dhe keni qenë të detyruar të importojmë energji me çmime të larta”, tha Kurti, teksa përmendi subvencionimin e faturave të energjisë. Sektori i energjisë është sektori më i rëndësishëm për ekonominë e një vendi dhe faktorin kryesor bizneset e kanë çmimin e energjisë. Lansimi i kësaj mase tregon përkushtimin e miqve tanë për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, shtoi ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ndërmarrësit vendës janë kontribuuesit kryesor të zhvillimit ekonomik, prandaj u ka bërë thirrje që të aplikojnë për subvencione.
“Është kënaqësi e veçantë që të jemi këtu që ta lansojnë ma për të bërë një tërheqje se ku sektori i energjisë është menduar që furnizimi duhet ta ndjekë kërkesën. Kjo mendësi ka ndryshuar globalisht dhe me krenari e them se efiçencën e kemi bërë prioritet dhe që kapacitetet burimore jo vetëm të ndërtohen por edhe të shfrytëzohen në total. Jemi të vetëdijshëm që ndërmarrësit vendor janë kontribuuesit kryesor të zhvillimit ekonomik. Prandaj iu inkurajojmë që të merrni pjesë në këtë thirrje e të përfitoni nga kjo masë dhe të zbusni sado pak krizën energjetike që e ka prekur edhe Evropën”, deklaroi Rizvanolli.
Ndërsa Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se deri në shtator kanë aplikuar 20 mijë familje për subvencionim në sektorin e energjisë.
“Gjatë vitit 2023, qytetarët kanë parë një përkrahje të madhe sa i përket subvencionimit të energjisë, ku deri në shtator, sa i përket konsumatorëve kanë aplikuar 20 mijë familje”, deklaroi ai.