UBT News

Lansohen “Kosova Music Rights Society” për të drejtat autoriale në Kosovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë sot lansimin e organizatës së parë për menaxhimin kolektiv të të drejtave autoriale në Kosovë – Kosova Music Rights Society (KMRS), që do të mbrojë të drejtat e autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe producentëve të muzikës.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm për respektimin e punës së krijuesve kosovarë dhe vendosjen e Kosovës në rrjetin evropian të mbrojtjes së të drejtave autoriale.

“Çdo nismë e jona si kjo e sotmja qëndron mbi supet e maleve shpirtërore që janë ndërtuara dhe vazhdojnë ta bëjnë Kosovën një vend hipermuzikor. Për këtë arsye ne kemi detyrim të kësaj krijimtarie dhe këtyre krijuesve. Sot po shënojmë një hap që shkon përtej muzikës, sepse në thelb të kësaj nisme të KMRS dhe punës që i pret përpara qëndron një ide më e madhe – ajo e të drejtës për të zotëruar frytin e punës sonë, për të fituar edhe autori nga dobia publike. Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe morale, kulturore dhe filozofike. KMRS tani është një organizatë besimi, midis krijuesve dhe shtetit, si dhe midis publikut dhe artistit. Me këtë hap, Kosova hyn në një kapitull të ri të menaxhimit kolektiv të të drejtave autoriale, duke u bërë pjesë e traditave botërore institucionale të rrjetit evropian të bashkëpunimit,” tha Kurti.

Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, tha se themelimi i KMRS është një moment i rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës ligjore e institucionale në fushën e artit dhe të drejtave autoriale.

“Kjo shënon një moment të rëndësishëm, një hap vendimtar drejt mbrojtjes së të drejtave të krijuesve tanë, forcimit të themeleve të infrastrukturës së sistemit ligjor e institucional për zhvillimin tonë social, kulturor e ekonomik, në vijë me objektivat shtetërore të asociimit të Kosovës me standardet e BE-së në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e organizatës Kosova Music Rights Society (KMRS), Kaltrina Mehmeti, tha se krijuesit e muzikës në Kosovë kanë punuar për më shumë se dy dekada pa mbrojtje ligjore dhe se themelimi i kësaj organizate përbën një hap historik për industrinë muzikore.

“Kjo industri e muzikës kaq e fuqishme në Kosovë dhe jashtë saj, paradoksalisht ka funksionuar më shumë se 25 vite pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa asnjë kompensim në emër të të drejtës së autorit. Është momenti që ky borxh moral t’i përkushtohet komunitetit artistik, që të njihet me të drejta më bazike e themelore, ashtu si çdo qytetar i Kosovës,” tha Mehmeti./S.K/EO/

Exit mobile version