Përditësim:
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka demantuar sot me fakte një njoftim të dhënë mbrëmë nga mediat e kontrolluara nga presidenti i Serbisë, që flisnin kinse shqiptarë të armatosur kishin sulmuar një kazermë të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

Ja sqarimi i Policisë së Kosovës:
Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar ( ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.
Në bazë të të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësite policore në terren dhe koordinimit me institucionet tjera kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar. Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare.
Policia e Kosovës siguron qytetarët dhe opinionin publik se situata në zonën kufitare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve.Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore.
Policia e Republikës së Kosovës u bën thirrje mediave që të referohen vetëm në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Lajmet e rrezikshme të vikendit!
Mediat e kontrolluara nga presidenti i Serbisë, nga mbrëmë, qarkulluan një lajm, që po e mbajnë aktiv edhe sot.
Sipas tyre, ka ndodhur një sulm ndaj një kazerme të ushtrisë së Serbisë, jo larg kufirit me Kosovën. Dhe – sulmues janë shqiptarët!
“Shqiptarë të maskuar zbrazën 15 plumba në afërsi të bazës ushtarake! Të dhënat e fundit nga sulmi ndaj pjesëtarëve të ushtrisë së Serbisë”!, është titulli i lajmit.
“Një grup i maskuar shqiptarësh sulmuan anëtarë të Forcave të Armatosura Serbe sot rreth orës 15:00 në zonën e bazës së Forcave të Armatosura Serbe “Debela Glava”.
Sipas informacioneve jozyrtare, një grup i armatosur shqiptarësh, rrëzë kodrës Shop, qëlloi 15 të shtëna në drejtim të anëtarëve të Ushtrisë Serbe, dhe me atë rast u godit një qen që ishte në afërsi të patrullës.
Grupi i armatosur iku me gjashtë xhipa në drejtim të krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë”.
Lajmi u postua fillimisht nga transmetuesi publik famëkeq, RTS, dhe u shumëzua nga portalet online të lajmeve, të cilat, sipas përmbajtjes së tyre, janë qind për qind në shërbim të presidentit serb.
Çdo lexues profesionist i këtij lajmi e kupton se ai nuk ka përmbajtje për të përbërë lajm, por propagandë.
Nga u vërtetua se ishin “një grup i maskuar shqiptarësh”? Si u qëllua vetëm qeni “që ishte në afërsi të patrullës”? Si u vërtetua nga ikën ata?
Nja lajm i tillë, në një ditë vikendi, gazetarët dhe njohësit e medias dhe propagandës serbe i kthen në kohën e paraluftës në Kosovë. Të tilla lajme prodhonin mediat e kontrolluara nga Milosheviqi, gjatë ditëve të javës, ndërsa në ditët e vikendit vinte “ndëshkimi”. Serbia kryente krime anekënd Kosovës, kundër “armiqve” që i kishte zbuluar përmes medias.
Politikë e moçme – për ngjarjet e vikendit, reagimet e diplomacisë vijnë vetëm të hënën! Janë më të vonshme dhe më të vakëta!
Por, këto lajme merrnin përgjigje të shpejtë nga reagimet e medias në shqip, sidomos të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), por edhe mediave të tjera. Dekonstruktoheshin edhe me deklarata të politikanëve e partive politike shqiptare.