Lajmet për luftën e fundit në Kosovë, e ato për komunitetin serb në Kosovë, në mediat tona e serbe janë ato të cilat po frikësojnë çdo herë.
Në samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, (KPDS), është thënë se këto lloj dezinformatash janë përhapur në disa vende specifike që kanë qëndrim jo shumë pozitiv ndaj Kosovës e mosnjohjes së saj.
Në panelin e shtatë të mbajtur sot, me temën “Demaskimi i gënjeshtrave: Trajtimi i dezinformimit në Ballkanin Perëndimor” Dren Gërguri nga Universiteti i Prishtinës ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, është paraqitur si jo- humanitare, lajme të cila kanë shkuar deri në Afrikën e Jugut.
“Në rastin tonë ne kishim narrativa të ndryshme false që synonin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe e paraqiste atë si diçka që nuk ishte humanitare dhe për këtë, ne kemi parë narrativa të ndryshme në kanale të ndryshme në gjuhë të ndryshme gjithashtu, duke shkuar deri në Afrikën e Jugut, dhe jo vetëm në Evropë. Refugjatët shqiptarë janë paraqitur si viktima të NATO-s dhe gjëra të tilla. Dhe zakonisht ato lloj propagandash, ato lloj dezinformatash janë përhapur në disa vende specifike që kanë qëndrim jo shumë pozitiv ndaj Kosovës, mosnjohjes së Kosovës”, ka thënë Gërguri.
Ndërsa, kryeredaktorja në “Alternativna” Ana Marija Ivkoviq ka theksuar se “Alternativna” ka monitoruar mediat serbe dhe shqiptare nga dhjetori 2023 deri në maj 2024, me të cilën kanë parë se pas rastit të Banjskës, ka pasur përshkallëzim të fushatave dezinformuese brenda mediave.
Ivkoviq, ka cituar edhe një lajm të rremë që kishte parë, e cila ishte postuar pastaj edhe nga mediat serioze.
“Ne kemi monitoruar për gjashtë muaj nga dhjetori 2023 deri në maj 2024, jo vetëm mediat serbe, tabloidet serbe dhe mediat pro regjimit, por kemi ndjekur edhe mediat shqiptare të Kosovës për tema të caktuara, që janë marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe tema që kanë të bëjnë ekskluzivisht me komunitetin serb të Kosovës. Ajo që kemi parë është se në njëfarë mënyre, sidomos pas sulmit në Banjska, kemi pasur përshkallëzim të fushatave dezinformuese brenda mediave. Pra, në janar kemi pasur një agjenci të njohur, e cila ka raportuar në natën e Krishtlindjeve ortodokse se, po citoj këtë “shërbimet sekrete serbe po planifikojnë sulm terrorist ndaj serbëve në Kosovë”. Jo vetëm se ky artikull u publikua, por ky artikull u ripublikua edhe nga media të tjera”, ka shtuar Ivkoviq.
Po ashtu, drejtoresha e programit në “ Zašto Ne” Tijana Cvijetiqanin ka theksuar se arsyeja e publikimit të lajmeve të rreme janë sfidat që kanë mediat. E kjo po bëhet për klikime.
“Sfida më e madhe do të thosha janë problematikat që ka vetë media. Është një treg i vogël, është një treg që ka shumë pika të shitjes dhe shumë pak fuqi paguese. Pra, konkurrenca për vëmendje është e lartë. Dhe konkurrenca për shikuesit apo lexuesit, në thelb është kthyer në atë që quhet sot, konkurrencë për vëmendjen tuaj, për vëmendjen tuaj online. Një tjetër, natyrisht, është ndikimi politik, dhe në të vërtetë nuk është i njëjtë kudo, nëse flasim për Bosnjën, mund të shihni se ajo që krijon dezinformata në ‘Republica Serpska’ për shembull, është në një shkallë shumë më të madhe, ndikimi politik dhe media e kapur që tashmë mendoj se pothuajse 100 për qind ka ndodhur aty”, ka theksuar ajo.
Në panelin e fundit të këtij samiti do të flitet për sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor: tendencat aktuale dhe drejtimet e ardhshme.