Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se pas Prishtinës do të vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
Duke përmbledhur zhvillimet e javës së kaluar, Lajçak në një postim në llogarinë e tij në Facebook dha detaje edhe për takimin që pati në Kosovë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, diskutova për zhvillimet e fundit gjatë verës, agjendën e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve dhe qasjet se si të trajtohen disa nga çështjet aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit. Më pas do të shkoj në Serbi në përgatitje të takimit të radhës në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Mes tjerash, ai, përmendi edhe pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit, ku liderë nga e gjithë Evropa u mblodhën për të diskutuar sfidat urgjente globale.
“E ardhmja në BE e Ballkanit Perëndimor u shfaq dukshëm në shumë formate të ndryshme – nga hapja deri te panelet e dedikuara dhe një diskutim i organizuar nga Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon. Duke u angazhuar në diskutime me politikanë, politikëbërës, diplomatë dhe ekspertë, ne kërkuam mënyra për të forcuar sigurinë, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.