UBT News

Lajçak vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, pritet nga Kurti

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak ka ardhur në Kosovë në një vizitë të paparalajmëruar. Kjo ka qenë arsyeja se pse kryeministri Kurti është larguar edhe nga seanca e Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, u shpreh se takimi ka filluar në ora 14:00 ndërsa më pas Kurti ka edhe takime të tjera.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”, tha Kryeziu.

Të premten, Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, qëndruan në Prishtinë dhe Beograd.

Pas takimit dy orësh që patën, Lajçak nuk pati dhënë shumë detaje për diskutimet, por pati thënë përfunduan pjesën e parë të misionit në Prishtinë pasi do të udhëtonin drejt Beogradit.

“Siç e patë ne sapo kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar për dialogun dhe se si të rritet dinamika në proces dhe të çohet procesi përpara. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do ta kuptoni që nuk mund të hyjmë në detaje sepse, natyrisht, të njëjtin diskutim do ta kemi më vonë sot me presidentin Vuçiq, prandaj them se kemi përfunduar pjesën e parë të misionit në Prishtinë”, pati deklaruar ai pas takimit. 

Exit mobile version