Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën kaloi në veri.
Pas takimit me Hamzën, ai foli për çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit, me ç’rast tha se ura nuk mund të rihapet me pajtim vetëm të njërës palë, por vetëm kur të pajtohen të dyja palët.
Lajçak e kaloi Urën e Ibrit në këmbë, i shoqëruar edhe nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Emisari i BE-së është në veri, te Shtëpia e Evropës, ku do të ketë takim me shoqërinë civile.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti deklaroi ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se në takimin me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak theksoi nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht. Sipas tij, BE-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes.
Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.