Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se sot do të takohet ndarazi në Bled të Sllovenisë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Ky takim do të bëhet me qëllim të përgatitjes së takimit në mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.
Lajçak ka thënë se çdo bisedë është e nevojshme, sepse ka gjëra të reja që ndodhin çdo ditë.
“Ne duhet të pajtohemi në atë se si ta përgatisim takimin e kryenegociatorëve, temat dhe çështjet e takimit. Jeta vazhdon dhe ne duhet t’i ndjekim zhvillimet”, ka thënë Lajçak.
Në Bled të Sllovenisë janë duke qëndruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.