UBT News

Lajçak tregon se cilat tema do të diskutohen në takimin e ardhshëm

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i së martës mes dy kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak njoftoi se kanë diskutuar për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe për ndikimin e vendimit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Çfarë fillimi i ngarkuar i javës në Bruksel! Dje prita dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar se si të avancohet zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Dialogun, duke përfshirë ndikimin e vendimit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme ndaj serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera. Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që Palët pritet të paraqesin paraprakisht. Në të njëjtën kohë, takimi tregoi gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe mënyrat shtesë se si të zyrtarizohet ajo do të duhet të adresohen në nivelin më të lartë në një takim të liderëve nën kujdesin e Dialogut”, tha Lajçak.

Ai po ashtu dha detaje edhe të takimit të javës së kaluar që kishte në Prishtinë e në Beograd.

“Javën e kaluar i përfundova përgatitjet e mia intensive në Beograd, ku udhëtova për t’u takuar me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq. Diskutimet tona u përqendruan rreth çështjeve urgjente në agjendën e Dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ky takim shërbeu si vazhdim i diskutimeve të mia javën e kaluar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, në pritje të takimit të sotëm në nivel të kryenegociatorëve. Në të dyja takimet, nënvizova nevojën e zbatimit të Marrëveshjes pa vonesë dhe trajtova çështjet urgjente që prekin Dialogun”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Emisari i BE-së, tha se në përputhje me traditën e mirë të angazhimit me brezat e rinj, ka marr pjesë edhe në një leksion të moderuar në Universitetin Matej Bel në Banská Bystrica, për të folur për punën e EEAS dhe zgjedhjet e ardhshme evropiane.

“Është thelbësore të komunikohet rreth këtyre temave për të rritur kuptimin e publikut për rolin dhe ndikimin e rëndësishëm të BE-së në jetën e tyre”, përfundoi ai.

Exit mobile version