I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të martën se i ka njoftuar anëtarët e Këshillit të Evropës (KiE) dhe vendet anëtare të bllokut për gjendjen e tanishme të dialogut mes dy vendeve fqinje.
“Gjatë qëndrimit në Strasburg, e shfrytëzova rastin gjithashtu të bashkëveproj me një numër të zyrtarëve të Këshillit të Evropës për dosjet tona përkatëse”, shkroi Lajçak në Facebook, duke shtuar se udhëtoi në Francë me ftesë të anëtarëve të KiE-së.
Nën Lajçakun, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për më shumë se një dekadë, por shumë prej marrëveshjeve që kanë arritur, nuk i kanë zbatuar. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.
Kosova është nën trysni ndërkombëtare në veçanti për ta themeluar një Asociacion të komunave me shumicë serbe.
Mosbërja e hapave në këtë drejtim e ka penalizuar Kosovën me mosantarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere për të drejta të njeriut – më herët gjatë këtij viti.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Të martën më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.
“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.
Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar edhe si t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët potencialë për ta ndërmjetësuar atë.
Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, blloku po mendon për ta gjetur pasardhësin e tij.
Në mesin e kandidatëve potencialë, nga burimet diplomatike në BE përmenden edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë edhe përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Burimet e BE-së thonë se, kushdo që të jetë në atë post dhe pa marrë parasysh se kush do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, do të duhet të insistojë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur deri më tash në dialog./REL