Emisari special evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar sonte zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar mbi takimin e 26 tetorit, mes kryeministrit Albin Kurti me liderët e BE-së.
Lajçak ka shkruar në rrjetin X se është e nevojshme zbatimi i plotë dhe pa parakushte i marrëveshjes për rrugën e normalizimit, të arritur në Ohër.
“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai.
Ndryshe, diplomati sllovak ndodhet për një vizitë të paparalajmëruar dyditore në Kosovë. Ai nesër do të ketë një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë.
Vizita vjen në kohën kur në Kosovë po zhvillohet debat rreth draftit për themelimin e asociacionit, të cilin kah fundi i tetorit ua kanë paraqitur emisarët euro-amerikanë.
Kurti pati deklaruar se ai kishte ofruar që ky draft, sikurse dhe Marrëveshja bazë dhe Aneksi për implementim i Marrëveshjes së Ohrit, të nënshkruhen.
Ndërsa, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell kishte thënë se “kushtëzimet e palëve, që ishin të papranueshme për palën tjetër, ishin pengesë për pajtim”.
Por në një deklaratë të përbashkët pas samitit të BE-së, liderët e tri shteteve më të mëdha bën ftesë që Kosova të nisë themelimin e asociacionit, ndërsa Serbia të njohë de facto Kosovën.