I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është takuar të martën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç ka bërë të ditur Lajçak, ditë më parë, ai është në Beograd për t’u përgatitur për takimin e radhës mes dy palëve, në nivel të kryenegociatorëve.
Javën e kaluar ai ka qenë në Prishtinë për arsyen e njëjtë.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Lajçak ka thënë se është arritur pajtueshmëri për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorëve – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqkit – mirëpo nuk ka dhënë hollësi se kur do të zhvillohet takimi.
Ai e ka konfirmuar që Serbia është tërhequr prej letrës së dërguar në Bruksel vitin e kaluar, në të cilën ka shprehur rezerva për zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si për Aneksin e zbatimit./REL/