Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ndërsa tha se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, ka shkruar Lajçak në X.
Sipas tij imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve.
“Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicave. Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, shtoi Lajçak.
Të mërkurën edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por sipas tij është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016./UBTNews/