Emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se në fund të kësaj jave pret kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për dinarin, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që euroja të jetë valuta e vetme e përdorimit në pagesa.
Lajçak ka thënë se pret që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme.
Diplomati sllovak këto komente i bëri në një status në llogarinë e tij në Facebook, ku ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës së kaluar.
Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-së, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç euros, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.
kryeministri Albin Kurti ka theksuar se rregullorja e BQK-së, është e pa negociueshme dhe se nuk do të pranojnë propozime që bien ndesh me të njëjtën.