UBT News

Lajçak pas takimit me Vuçiqin: Ai e kupton seriozitetin e situatës në veri

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot bëri të ditur se zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ndryshe, Miroslav Lajçak dje është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe me të Dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak ka deklaruar se tensionet e krijuara në veri si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë nuk i ndihmojnë askujt.

“Kam pasur një bisedë të gjatë me kryeministrin Kurti. Ne diskutuam një sërë çështjesh, ju e kuptoni që nuk do të zbuloj detaje sepse ky takim është në mes të misionit tim dhe do të vazhdoj nesër në Beograd. Unë do të takoj edhe komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it sonte. Ne do të marrim një vlerësim të situatës në terren dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet e mundshme sepse kjo gjë që ka ndodhur nuk është e mirë. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt dhe nuk mendoj se jam i kënaqur me situatën, kemi ardhur në këtë moment dhe nuk dua t’ia drejtoj gishtin dikujt tani, por dua të them se jemi të përkushtuar të bëjmë më të mirën për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë”, ka thënë Lajçak.

Exit mobile version