Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takim brenda javësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për të diskutuar për planin franko-gjerman.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti të martën, Lajçak, tha se nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të shfrytëzohet momentumi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se deri në mars të vitit 2023 do të shohin se sa progres po bëhet në këtë proces dhe kah po shkon i njëjti.
“Para së gjithash jam i kënaqur që jam kthyer këtu në Prishtinë për të mos u marrë me krizën, dhe kjo nuk është një vizitë rreth menaxhimit të krizës dhe është e rëndësishme sepse që nga qershori ishim në një gjendje të përhershme krize dhe kishim afate të caktuara dhe duhej të fokusoheshim dhe të investojmë kohën dhe energjinë tonë në shpërbërjen e kësaj krize, për t’u siguruar që nuk do të ketë dhunë, dhe për fat të mirë që nga 23 nëntori nuk kishim më afate dhe nuk kishim më krizë dhe mund të diskutonim për çështje thelbësore. Pikërisht kjo është arsyeja pse unë jam këtu, për të kthyer diskutimin tonë për çështjen e normalizimit dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm të procesit, i cili bazohet në dokumentin që kam paraqitur këtu më 9 shtator dhe ne duam të përdorim këtë moment, dhe po punojmë drejt një takimi ku do të trajtojmë çështjen e normalizimit dhe duam që ky takim të bëhet brenda javësh. Unë mund të kthehem së shpejti përsëri për t’u siguruar që takimi të jetë i përgatitur mirë, dhe siç thashë ne vërtet besojmë se nuk ka kohë për të humbur për këtë, nuk jemi nën presion por duam ta shfrytëzojmë këtë moment pozitiv”, tha ai.
Lajçak theksoi se tani është në duart e të dyja palëve për mos të zvarritur procesin e dialogut.
“Procesi i normalizimit do të fillojë brenda javësh, dhe më pas është në duart e të dyja palëve, ne nuk duam ta vonojmë apo ta zvarritim këtë proces, ky moment është i duhur dhe tani ky moment është këtu, por nuk do të jetë këtu përgjithmonë. Prandaj, ne nuk duam ta vonojmë këtë proces dhe nuk jam i mirë me afatet, por do të thosha se deri në mars do të shohim se ku qëndrojmë, sa po përparojmë dhe ku po shkon ky proces”, shtoi ai.
Mirëpo sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, Lajçak tha se është e rëndësishme që në këtë pikë dy palët të kenë si bazë për negociata planin franko-gjerman, pastaj siç tha ai, kjo do t’i jepte përgjigje për pyetjet e njohjes.
“Unë mendoj se ju jeni duke shkuar shumë larg. Ajo që është e rëndësishme në këtë pikë është se edhe Kosova edhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim si bazë për negociata për takim dhe tani duhet të bashkohemi dhe të fillojmë të diskutojmë, kjo do të na japë përgjigje për të gjitha këto pyetje”, deklaroi ai.
Emisari i BE-së për dialogun, tha se me Kurtin kanë folur edhe për kthimin e serbëve në institucione.
“Një gjë që është e qartë është se kemi një vakum serioz, një vakum të sigurisë që nuk është i mirë, që nuk është i mirë për njerëzit, nuk është i mirë për askënd dhe sigurisht që do të donim të ktheheshim në gjendjen normale. Policia është duke bërë punën e tyre dhe drejtësia po funksionon, kjo është ajo që më duhej të dëgjoja nga palët. Ne jemi të lumtur të ndihmojmë dhe ta kthejmë situatën në normalitet”, theksoi ai.
Sa i përket asociacionit të komunave serbe, Lajçak tha se në procesin e dialogut, të dyja palët kanë bërë shumë premtime dhe të njëjtat duhet të zbatohen.
“Një gjë është shumë e qartë, se në procesin e dialogut të dyja palët kanë bërë shumë premtime dhe disa prej tyre janë zbatuar e disa jo. Çdo gjë që është rënë dakord duhet të zbatohet, përndryshe procesi nuk do të ketë kurrë sukses”, shtoi Lajçak.
Krahas kësaj, Lajçak tha se me Kurtin kanë diskutuar edhe për marrëveshjen për të pagjeturit dhe atë për energji.
Lajçak dje qëndroi në Serbi, ku takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.