Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do ta çojë Kosovën drejt izolimit. Ai ka thënë për gazetën italiane “La Stampa” se SHBA-ja qëndron në linjë me BE-së sa i përket Kosovës.
“SHBA qëndrojnë saktësisht në linjë me ne. Ai (Kurti) e di. E di se cilat janë pritjet. E di që për Kosovën është ekstremisht e rëndësishme të ketë një mbështetje të fortë ndërkombëtare, sepse pikërisht një gjë të tillë Kosova e ka gëzuar nga fillimi. Nuk kam dyshim që (Kurti) do të jetë mjaftueshëm i përgjegjshëm që të mos e fusë vendin e tij në rrezik të një izolimi. Kështu ai po nxjerr përfundimet e duhura”, tha diplomati sllovak.
Lajçak tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet si pjesë e procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Është shumë e rëndësishme që të niset para zgjedhjeve evropiane, sepse më pas BE do të hyjë në një periudhë të tranzicionit. Pastaj SHBA do të shkojë në zgjedhje. Nuk do të jetë ky momenti për të marrë vendime”, tha ai.
I pyetur nga “La Stampa” se cilat janë pikat që BE-ja do të provojë t’i bindë Prishtinën dhe Beogradin t’i pranojnë ato, diplomati sllovak tha se “Nuk jam akoma i sigurt që do t’i pranojnë, por duhet të na thonë që nuk i pranojnë. E atëherë ne vetëm kemi humbur kohë. Filozofia është që ju e bëni pjesën e juaj dhe unë e bëj timen”.