Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Europian për dialogun, ka folur për takimin që zhvilloi dje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në platformën X, Lajçak theksoi rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, e cila, sipas tij, ka hapur një rrugë të re për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. “Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit”, shkruajti ai, duke theksuar se avancimi në këtë drejtim është jetik për të ardhmen e dy vendeve dhe të gjithë rajonit.
Lajçak shtoi se progresi i mëtejshëm është në interes të Kosovës, Serbisë dhe të ardhmes së tyre, duke i bërë thirrje të dyja palëve të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare që do të kontribuonte në stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor./UBTNews/