UBT News

Lajçak: Kosova t’i përmbushë zotimet, përfshirë edhe Asociacionin

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka përfunduar vizitën e tij treditore në Kosovë, ku u takua me krerët e shtetit dhe të partive politike.

Lajçak në një konferencë për media u shpreh se u bë progres i mirë për dialogun që nga vizita e tij e parë në Kosovë.

“Pata diku 25 takime takova liderë politikë dhe pashë një pasqyrë precize me situatën politike këtu. Kjo ishte vizita ime e dytë në Kosovë. Që atëherë keni bërë progres të mirë me dialogun. U dakorduam se cilat janë temat kryesore deri te marrëveshja. Po negociojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë’, tha Lajçaku.

Lajçak ka falënderuar kryeministrin Hoti, duke thëne se Hoti ka treguar lidership të fuqishëm me rifillimin e dialogut.

Më tej Lajçak theksoi se BE-ja nuk ka interes në destabilizimin e Kosovës. Kurse u shpreh se Kosova duhet t’i përmbushë zotimet, ndër to edhe Asociacionin.

“BE-ja nuk ka interes në destabilizimin e Kosovës apo në prezantimin e mosfunksionalitetit për Kosovën dhe njekohesisht Kosova ka bërë zotim me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015, duhet të tregojë konsistencë dhe respektim te zotimeve. Dialogu është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës. Dialogu është mundësi për të diskutuar çështjet e mbetura me Beogradin. Duhet të përmbyllë çështjet e hapura, por duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje duhet të dalë si rezultat i kompromisit. Dhe unë i nxis të gjithë bashkëbiseduesit të jenë të bashkuar në dialog, ta çojnë dialogun përtej politikave ditore. I nxis bashkëbiseduesit të jenë të gatshëm për kompromis.  Në të gjitha takimet, partnerët e mi shprehën përkrahje për dialogun dhe mirëkuptimin se dialogu është i rëndësishëm për Kosovën. Konfirmuan se Kosova do t’i respektoje të gjitha zotimet, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit”, tha Lajçak.

Ai sot do të udhëtojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiq./UBTNews

Exit mobile version