UBT News

​Lajçak komenton takimin e fundit me liderët e opozitës

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka vlerësuar ditën e sotme si produktive pas takimit me liderët e opozitës në Prishtinë.

Lajçak ka shkruar në X se diskutimet me ta kanë qenë të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara.

“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me diskutime të mira për zhvillimet e fundit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Krahas opozitarëve, Lajçak ka pritur në takim sot edhe disa nga ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Liderët opozitarë në Kosovë kanë takuar të martën përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Për gjatë dy orëve sa zgjati takimi opozitarët shfaqën qëndrime të ndryshme për përmbajtjen e tij. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thanë se Lajçak ka paraqitur në terma të përgjithësuar dokumentin për Asociacionin dhe se nuk e kanë lexuar të njëjtin. Ata kritikuan edhe kryeministrin Albin Kurti, për siç thanë mungesën e transparencës në proces të dialogut. Mirëpo, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se e ka lexuar draftin dhe se i njëjti i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Lajçak po qëndron në Kosovë që nga dita e hënë. Ai është takuar me kryenegociatorin Besnik Bislimi, ku ka thënë se është pajtuar për hapat e radhës në dialog.

Exit mobile version