I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave, me gjasë nga dita e martë, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bindur palët që të kthehen në dialog.
Në Prishtinë, Lajçak pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kështu mëson REL nga disa burime diplomatike, ndonëse në BE ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë vizitë.
BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.
BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar në Bruksel disa “takime krize”, por nuk kanë mbajtur takime dypalëshe. Takimet e ndara të liderëve të Kosovës dhe Serbisë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, kanë përfunduar pa rezultate konkrete.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar pasi që grupet kriminale vazhdimisht po provokojnë situatën, ku tash e sa herë po raportohet për shpërthime në veri.
Kujtojmë po ashtu se protestuesit serbë kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat.