I ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak vazhdon përpjekjet për realizimin e një takimi në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë para Vitit të Ri.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë të enjten u shpreh, se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Por më e rëndësishmja është që të sigurohen rezultate nga ky proces, tha Lajçak. I ngarkuari i BE-ë për dialogun është i bindur, se ka hapësirë për progres në kuadër të këtij dialogu, me rëndësi strategjike edhe gjithë Bashkimin Evropian. Mirosllv Lajçak qëndroi të enjten në mbrëmje në Kosovë pas një vizite që kishte në Beograd ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuҫiq. Në Prishtinë Lajqak u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Shpresa për një takim para fundit të vitit
Vizita e tij në Beograd dhe Prishtinë është përpjekja e radhës për të organizuar një takim të ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. “Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar, se cili do të jetë rezultati”, tha Mirosllav Lajçak pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti duke shpresuar që një takim ndërmjet Kurtit dhe Vuciq të mbahet para fundit të vitit.
I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit disa orësh në Prishtinë takoi edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Kjo e fundit, në një komunikatë për medie tha, se “epilogu i dialogut do të duhej të ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”. Kurse Mirosllav Lajçak, tha se “ka nevojë për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”.
Dialogu realisht ka ngecur
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian javën e shkuar bënë thirrje për “angazhim konstruktiv në dialog të Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë ka kohë që dialogu i nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi ka ngecur për faktin që palët kanë qëndrime të ndryshme se për ҫfarë duhet të diskutohet në tavolinën e bisedave. Kosova kërkon që në këtë fazë të diskutohet ҫështja e personave të zhdukur, ndërsa Beogradi zyrtar kërkon që Prishtina të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kryeministri Albin Kurti në një intervistë të mëhershme për DW-në, tha se Asociacioni “është i paimplementueshëm për faktin që këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Dy vjet më pas, në vitin 2015, palët kishin arritur edhe një marrëveshje për parimet e themelimit të këtij Asociacioni. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse thotë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. Dialogu Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ka filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.DW