Ndërmjetësi evropian në dialog., Miroslav Lajçak e ka cilësuar si suksesin më të madh të mandatit të tij Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse zbatimi i saj në praktikë nuk po bëhet.
Lajçak ka thënë se të dyja vendet duhet ta kenë të qartë se nuk ka normalizim, përderisa ekziston një konflikt në terren. Ndërmjetësi evropian tha se është në duar të palëve që të zgjedhin rrugën e normalizimit, tek e cila çon zbatimi i marrëveshjeve.
“Dialogu për momentin është në udhëkryq. Palët nuk po zbatojnë ato për çka janë dakorduar në Ohër…. Një gjë është e qartë., që nuk mund të ketë normalizim përderisa ka një konflikt në terren dhe kjo është në duar të palëve – është në duar të tyre të zgjedhin normalizimin, dialogun dhe implementimin e marrëveshjes. Marrëveshja është këtu dhe është jam i bindur që është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të bënin. Është bileta për të ardhmen”, tha Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas një periudhe prej 9 muajsh nga takimi i fundit, të mërkurën në Bruksel do të përballen me njëri-tjetrin.
Kurti e Vuçiq do të takohen fillimisht ndaras me Borellin, dhe në orën 15:00 është planifikuar takimi i përbashkët trepalësh.
Sipas njoftimit, do të analizohet ajo që është arritur në dialog dhe në fokus do të jetë rruga përpara.
“Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borrellit.
Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiqit, ishte më 14 shtator 2023.