Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, do të vizitojnë sot Prishtinën dhe Beogradin.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllim i vizitës është të eksplorohen opsionet për përparim në dialog.
Ai ka thënë se janë planifikuar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandr Vuçiq.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përmes një letre drejtuar Kurtit dhe Vuçiqit kanë bërë të ditur se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se Kosova mirëpret angazhimin e Gjermanisë dhe Francës në këtë proces.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje.