Vizitorët e Kenias nga vende të ndryshme të botës mund të udhëtojnë pa viza nga muaji janar, tha presidenti William Ruto më 12 dhjetor.
Ruto njoftoi se në vend të vizës, qeveria e tij ka zhvilluar një platformë digjitale për t’iu siguruar vizitorëve një autorizim elektronik për udhëtim.
“Nuk do të jetë më e nevojshme që qytetarët nga vende të ndryshme të globit të mbajnë barrën e aplikimit për vizë për të ardhur në Kenia”, tha ai në një fjalim në kryeqytetin Nairobi në një ngjarje në shënim të 60-vjetorit të pavarësisë nga Britania.
Ruto ka avokuar për udhëtim pa viza brenda kontinentit afrikan. Në një konferencë në Republikën e Kongos gjatë muajit tetor ai tha se njerëzve nga vendet afrikane nuk do t’iu duhet të kërkojnë vizë për të vizituar Kenian deri në fund të vitit 2023.
Industria e turizmit luan rol të rëndësishëm në ekonominë e Kenias, duke ofruar pushime në plazh përgjatë vijës bregdetare të Oqeanit Indian dhe safari me kafshë të egra në brendësi.